Alliance for development family farming, Northern Albania

“Shija e Veriut”, një udhëtim në traditat shqiptare të përpunimit të djathit

Në veri të Shqipërisë, duke ndjekur përvojën e Parmigiano Reggiano, një grup OJQ-sh italiane është aktivizuar për të rregulluar prodhimin e djathit të dhisë. Një mënyrë për të përmirësuar gjithë territorin dhe për të mbështetur qindra familje.

Më poshtë intervista me Roberta Sangiorgi realizuar nga Davide Sighele (Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa).

Si mund të ndihmojë përvoja e Parmigiano Reggiano zonat malore të veriut të Shqipërisë? Roberta Sangiorgi, ndër të tjera, punon për Rajonin Emilia Romagna të Italisë me rregulloret e prodhimit dhe markat e cilësisë. Me fokus territorin, i cili është vlerësuar në kuadër të programit “Aleanca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut” promovuar nga Reggio Terzo Mondo (RTM) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE) me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).

Intervista

Ju merreni me zhvillimin e markave gjeografike të cilësisë dhe kritereve të prodhimit. A mund të na shpjegoni shkurtimisht në çfarë konsiston puna juaj?

Në Rajonin Emilia Romagna merrem me fermat edukative, në sektorin e të ushqyerit dhe komunikimit. Në Shqipëri kam ndihmuar në hartim e një disipline specifike prodhimi, me pak fjalë me identifikimin e një sërë rregullash prodhimi në mënyrë të tillë, që të mund të tregoja më pas karakteristikat e një produkti specifik.

Pavarësisht asaj që duket, puna që ne bëjmë nuk është aspak burokratike. Kjo punë do të thotë të jesh prezent në terren dhe të përfshish shumë njerëz. Për shembull, në lidhje me prodhimin e djathit, i cili është rasti ynë, duhet të respektohen kritere specifike. Para së gjithash, mirëqenia e kafshëve: stallat duhet të jenë të përshtatshme për strehimin e kafshëve, duhet të ketë për shembull hapësirë të përshtatshme për ta. Kafshët duhet të vaksinohen, një çështje veçanërisht delikate në këto zona të Shqipërisë ku agalaktia (sëmundje ngjitëse tek kafshët) është endemike. Më pas është e nevojshme të përcaktohen fazat homogjene të prodhimit të djathit. Ata që bëhen pjesë e këtij sektori duhet t’i respektojnë fazat e prodhimit dhe për këtë çështje, projekti ynë ka promovuar kurse të veçanta për bërjen e djathrave. Ȅshtë thelbësore identifikimi i historikut dhe karakteristikat e djathit dhe për këtë arsye janë bërë hulumtim në zonat e veriut të Shqipërisë, si në tekstet letrare ashtu edhe në piktura, si nga vitet 1700 dhe 1800, ashtu edhe një analizë e gjetjeve arkeologjike që datojnë nga epoka e romakëve, për të verifikuar saktësisht historikun e këtyre prodhimeve.

Kanë qënë vetë mbarështuesit, të cilët zgjodhën një markë me të cilën do të identifikonin djathin, në këtë rast u zgjodh emri “Shija e Veriut”. Konsumatorët shqiptarë u përfshinë gjithashtu në zgjedhjen e emrit, duke kryer pyetësorë në internet dhe në dalje të supermarketeve. Hapi i fundit është regjistrimi i markës dhe produktit si EOM ( Emërtim Origjinë e Mbrojtur ). Në rastin tonë ka qenë i mundur vetëm regjistrimi i markës, në markën tregtare kombëtare dhe zyrën e patentave, por ende nuk është e mundur të ndërmerret proçesi i njohjes si EOM, sepse për efektivitetin e plotë të ligjit të fundit për regjistrimin e EOM dhe TGJM ( Treguesi Gjeografik i Mbrojtur ) është e nevojshme të pritet nxjerrja e rregulloreve zbatuese.

A mund të na flisni mbi momentet e para kur u përfshitë në projektin në Veriun e Shqipërisë?

Nuk kisha punuar kurrë në Shqipëri edhe pse e kisha njohur tashmë Shqipërinë në 2014, gjatë një udhëtimi turistik. U përfshiva nga RTM ( Reggio Terzo Mondo) në dhjetor 2017. Në shkurt të vitit pasardhës u nisa për në Shqipëri për të paraqitur konsorciumin e djathit parmixhan para fermerëve vendas. Ishte e rëndësishme të shpjegohej rëndësia e të qënit të gjithë bashkë, për të arritur rezultate të rëndësishme në fazën e promovimit të produktit dhe daljes në treg.

Ishte një përvojë shumë interesante. Zonat e veriut të Shqipërisë ku po implementohet projekti janë shumë të kërkuara si nga pikëpamja gjeografike, sidomos në dimër, por edhe nga pikëpamja kulturore. Në fakt, ekziston ende një kulturë shumë patriarkale, ku gratë shpesh shihen si një “pronë” e burrit të tyre. Pra, edhe fakti që unë, grua, isha atje, ishte një element i rëndësishëm.

Gjatë takimit pjesëmarrësin ishin pothuajse të gjithë vetëm burra. Mbaj mend ende, që ishin vetëm dy ose tre gra, një ndihmës-mbarështuese dhe një veterinere nga komuna e Fushë – Arrëzit. Një aspekt tjetër sfidues është se në Shqipëri ka ende shumë mosbesim për ato që në Emilia Romagna quhen kooperativa, duke ndjekur përvojën me regjimin diktatorial të Enver Hoxës. Përkundrazi, përdoret termi konsorcium ose shoqatë e mbarështuesve. Me këtë rast ishte e rëndësishme prania e pedagogëve nga Universiteti i Tiranës dhe përfaqësuesve të Agropuka, një shoqatë e vendit, e cila në të vërtetë garantonte pozitivitetin e konsorciumit të djathit parmixhan dhe iniciativave që u ndërmorën në Emilia Romagna.

Për sa i përket specifikave të prodhimit dhe markave, çfarë u zhvillua në Shqipëri nga projekti në të cilin u përfshitë?

Mbi 100 familje u mbështetën nga “Fondi për zhvillimin e bujqësisë familjare”, zhvilluar nga projekti në të cilin u përfshi Rajoni i Emilia Romagna. Janë dhënë 28 kredi për ristrukturimin dhe ndërtimin e objekteve, kushtuar shumimit dhe bërjes së djathrave, sistemeve të mjeljes ose ruajtjes së qumështit. Janë ndarë gjashtë grante për grupe fermerësh që praktikojnë kullotat malore. Njëzet e pesë të tjerë iu dedikuan bujqësisë organike dhe në fund dhjetra fonde iu shpërndanë nismave të turizmit rural.

Aspekti i rëndësishëm i fondit është se ai ka lejuar përmirësimin e kushteve të punës dhe të ardhurave për një numër të konsiderueshëm të njësive familjare dhe ka favorizuar futjen e metodave të reja, të cilat paraqesin shembuj të praktikave të mira dhe që mund të miratohen nga operatorët e tjerë të sektorit.

Në Shqipëri, prodhimi tipik agro-ushqimor duket se ka një potencial të konsiderueshëm. A janë të vetëdijshëm autoritetet përkatëse për nevojën e përmirësimit të tyre? Si paraqitet situata nga këndvështrimi i legjislacionit?

Në Shqipëri, veçanërisht nga qeveria, ekziston një vetëdije e qartë për nevojën për të forcuar EOM (Emërtim Origjine i Mbrojtur ) dhe TGJM (Treguesi Gjeografik i Mbrojtur). Nuk është rastësi që u miratua një ligj, në marsin e kaluar, numri 8 i 2019-tës, i cili ka të bëjë pikërisht me rregullimin e këtij sektori. Megjithatë, deri më tani, ende nuk ka një rregullore zbatuese dhe pa këto të fundit, asnjë regjistrim i produkteve karakteristike nuk është i mundur. Prandaj ne ende nuk mund të flasim për EOM dhe TGJM. Përveç miratimit të rregulloreve, shteti shqiptar duhet gjithashtu të caktojë një komision, i cili do të vlerësojë aplikimet për njohjen e produkteve të ndryshme.

A ekziston ky vetëdijësim midis fshatarëve dhe mbarështuesve?

Fermerët janë të vetëdijshëm që nëse një produkt fiton statusin EOM ose TGJM, ai bëhet më i kërkuar në treg, pasi është karakteristik dhe sepse përbën siguri për konsumatorët, mbi mënyrën se si prodhohet. Ata gjithashtu janë të vetëdijshëm se këto rregullore prodhimi, procedurat që padyshim kërkohen si nga këndvështrimi burokratik ashtu edhe nga prodhimi, mund të sjellin të ardhura më të mëdha financiare. Një produkt EOM ose TGJM mund të zgjerojë tregjet e tij dhe të shitet nga zonat malore në kryeqytetin e Tiranës dhe në rast të anëtarësimit në BE, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Për shembull, një kilogram djathë i shitur në Tiranë, i sjell fermerit dyfishin e fitesës në krahasim me të njëjtin djathë të shitur në Alpet Shqiptare.

Një pikë e fortë dhe një pikë e dobët e prodhimit agro-ushqimor në veri të Shqipërisë?

Një pikë e dobët është se ende nuk flitet për prodhimet nga pikëpamja sasiore. Këto prodhime janë në gjendje të kënaqin vetëm tregun e Shkodrës dhe në pak raste arrijnë në Tiranë. Për më tepër, në rastin e produkteve tona, djathi i dhisë është një produkt sezonal: prodhohet gjatë verës dhe prandaj përtej kësaj periudhe nuk ka pothuajse asnjë të ardhur për prodhuesit.

Në këtë kontekst, cili është roli i prodhimit organik?

Në Shqipëri, mjedisi natyror pak i ndotur lehtëson bujqësinë organike. Megjithatë, qëndron fakti se çertifikimet kushtojnë shumë. Prandaj, nëse nuk ka ndërhyrje publike, mbarështuesit shqiptarë ose fermerët, vështirë se do të kenë mundësi të hyjnë në sistemin e çertifikimit. Pra, ne mund të flasim mbi të gjitha për produkte organike jo të çertifikuar, me prodhime organike që nuk vlerësohen nga çertifikimi.

Në njëzet vitet e fundit janë lidhur edhe më shumë marrëdhënie të forta midis shumë territoreve italiane dhe realiteteve përtej Adriatikut, jo vetëm në Shqipëri. Sipas mendimit tuaj, cila është vlera e shtuar e shkëmbimit të Shqipërisë me Emilia Romagna, për sa i përket dhënies vlerë të prodhimeve tipike agro-ushqimore?

Sipas mendimit tim, vlera e shtuar jepet nga përfshirja, veçanërisht në këtë projekt, e diasporës shqiptare në Itali. Janë krijuar kanale të reja, shqiptarët në Itali kanë arritur të rikthehen në traditat e tyre shqiptare dhe janë krijuar mundësitë, që disa prej tyre të kthehen në vendin e tyre për të zhvilluar bujqësinë dhe bagëtinë në një mënyrë moderne dhe sipas udhëzimeve evropiane. Gjithashtu mbarështuesit shqiptarë të përfshirë në projekt, patën mundësi të vizitojnë realitetet e dhive në Apeninet Emilia-Romagna.

Duket gjithashtu se është përcjellë me sukses rëndësia e promovimit jo vetëm të një produkti, por një territori të tërë.

Projekti u propozua jo vetëm për të arritur një rrjedhë prodhimi të një produkti dhe çertifikimit përkatës, por mbi të gjitha për të vepruar si nxitës, përmes produkteve agro-ushqimore, në të gjithë territorin. Në një territor të Shqipërisë së veriut i cili, veçanërisht në zonat e Alpeve Shqiptare, vuan nga marxhinalizimi.

Tani po shkojmë edhe më tej asaj që kishte parashikuar projekti duke zhvilluar një faqe, që do të sjellë së bashku mbarështues, restauratorë, ata që ofrojnë dhoma me qira dhe që do të paraqesin informacione mbi bukuritë natyrore dhe historike në atë pjesë të Shqipërisë. Kështu që turistët, qoftë nga Tirana, qoftë nga jashtë, do të kenë mundësinë të krijojnë udhëtimin e tyre personal për të njohur këto territore përmes shijes së ushqimit. Na është dukur gjithmonë thelbësore që të përfshihet i gjithë territori dhe të propozojmë nisma të favorshme për të gjitha komunitetet e pranishme në këtë zonë të Shqipërisë.

Imagjinoni sikur do ulemi në Fushë Arrëz, Pukë apo Vau i Dejës, ose në një fshat apo qytet tjetër, ku u promovua projekti juaj. Ҫfarë rekomandoni të shijojmë?

Mëngjesi është i thjeshtë, por shumë thelbësor: djathë dhie të bardhë me domate, ullinj, tranguj, bukë dhe reçel fiku, lëng shege të egër. Për drekë apo darkë, unë do të propozoja mish qingji në hell, së bashku me Çervish, që është një lloj pureje e bërë nga misri dhe gjalpi; tavë, një përzierje djathi dhe mishi të gatuar në një pjatë dheu. Nuk duhet të mungojnë turshitë: fli, e cila është një brum i pjekur me shumë fletë, me djathë të bardhë brenda; Burek me djathë dhe bukë kallamoqe, bukë misri. Në fund, për ëmbëlsirë: petulla që ngjyhen në mjaltë !

Document Actions

published on 2020/02/24 11:39:00 GMT+2 last modified 2020-02-24T11:39:00+02:00

Rate this website

Looking for something else?